As kroati Vida nuk i shpëtoi tundimit për të provokuar

Është i famshëm romani i shkrimtarit të madh amerikan, Mark Tuejn, me personazhin Tom Sojer. E kush fëmijë nuk do të donte të ishte aq sfidues dhe aq çapkën ndaj rregullave dhe tutelës së të rriturve, dhe duket se ky tundim nuk largohet as kur bëhesh i rritur. Futbollisti kroat Domagoj Vida e pati shumë të fortë këtë grishje, kur thirr me të madhe “lavdi Ukrainës”, pas fitores me penallti ndaj Rusisë në çerekfinale të Botërorit.

Videomesazhi i tij shkaktoi reagime të forta në rrjetet sociale në Rusi, ndërsa dihet gjendja e marrëdhënieve ruso-ukrainase që pas ngjarjeve në Maidan të Kievit, aneksimit të Krimesë dhe luftës me separatistët në Lindje të Ukrainës. FIFA lëshoi një paralajmërim për Vidën dhe për ish-lojtarin e Kroacisë, Ognjen Vukojeviç, që theksoi se “kjo fitore ishte për Ukrainën dhe Dinamon e Kievit”.

Vetë mbrojtësi kroat mohoi se mesazhi ishte politik. “Ishte mesazh personal për miqtë e mi në Ukrainë dhe tek Dinamo e Kievit, ku unë luaj, – tha ai, – unë kam shumë respekt për rusët dhe për ukrainasit”.  Gjithsesi, edhe pse ndoshta pa dashur, Vida nuk gjeti mënyrën më të mirë për të treguar respektin për rusët.

Sfidanti.al