“Jam i bindur se këtë sezon do të bëjmë gjëra të shkëlqyera.” Pep Guardiola e përsërit këtë me bindje përpara sfidës me Feyenoord në Champions League, por është e vështirë të ndash entuziazmin e tij. Është e vërtetë që Manchester City ka fituar 4 Premier League radhazi dhe ka një skuadër të mbushur me kampionë, por aktualisht është në mes të krizës më të keqe që kur është bërë referencë në futbollin anglez. Pesë humbje radhazi, nga Carabao Cup te Europa League, dhe natyrisht Premier League, ku kampionët, pas 12 javësh, janë 8 pikë larg kryesuesve të Liverpool-it, me rrezikun që diferenca të shkojë në -11 në rast humbjeje në Anfield. “Nuk dorëzohem dhe jam i bindur se në fund do të jemi aty,” përsërit Pep. Por shifrat tregojnë diçka tjetër. Ato tregojnë se kriza po thellohet, pasi humbja 4-0 ndaj Tottenham-it të shtunën ishte e para në Etihad që nga nëntori i 2022-shit dhe më e rënda e kësaj serie. Problemet janë të shumta dhe nisin me lëndimet: Rodri, fituesi i “Topit të Artë,” është jashtë për të gjithë sezonin pas vetëm dy ndeshjesh si titullar. Ai është vetëm maja e një ajsbergu në një infermieri gjithmonë të mbushur, gjë që bie ndesh me një skuadër që historikisht ka pasur një grup të ngushtë lojtarësh. City po përballet jo vetëm me një numër të madh lëndimesh, por edhe me lojtarë kyç që hyjnë e dalin vazhdimisht nga lista e të padisponueshmëve.
Si Kevin De Bruyne. “Të premten për herë të parë nuk ndjeva dhimbje,” tha belgu, i cili ka luajtur vetëm 390 minuta në Premier League deri tani dhe nuk është rikuperuar plotësisht nga lëndimi i pësuar kundër Inter-it më 18 shtator. “Është frustruese sepse e di që kur jam mirë mund ta ndihmoj skuadrën, por nuk kam mundur ta bëj.” De Bruyne nuk është i vetmi yll larg nivelit të tij të zakonshëm: Phil Foden është një hije e vetes së tij nga sezoni i kaluar, Kyle Walker nuk është më një mbrojtës i pakalueshëm, ndërsa John Stones, një nga shtyllat e tripletës së City-t, ka luajtur vetëm 45 minuta deri tani këtë sezon. Lista e lojtarëve jashtë forme përfshin gjithashtu Ruben Dias, Jack Grealish, Jeremy Doku dhe pothuajse të gjithë formacionin bazë.
GABIMET
Një nga përjashtimet e pakta është padyshim Erling Haaland, por 15 golat e tij në 16 ndeshje mes kampionatit dhe Champions League fshehin faktin që Guardiola po e shfrytëzon atë më shumë sesa duhet. E njëjta gjë vlen për Rico Lewis, i cili shkëlqen kur skuadra fiton, por bie pre e situatave kur skuadra humbet, duke luajtur më shumë se ç’duhet për moshën dhe përvojën e tij. Kjo pasqyron gjithashtu gabimet që City ka bërë në merkato: blerja e Savinho-s, një lojtar i talentuar por ende jo i gatshëm për të konkretizuar, dhe kthimi i Ilkay Gündogan, i cili nuk ka arritur të rikthejë në ekip atë lidership që pritej prej tij. Po ashtu, largimi i Julián Álvarez, i cili u shit te Atletico Madrid sepse donte më shumë hapësira, ka lënë një boshllëk të dukshëm në skuadër.Dëmtimet, lojtarët jashtë forme, disa të mbingarkuar dhe disa gabime në merkato – City nuk është vetvetja as në fushë. Nëse humbja e parë, ajo në Carabao Cup kundër Tottenham-it, mund të konsiderohej strategjike për të shmangur mbingarkesën e kalendarit, humbjet e tjera kanë treguar një City të dobët në mbrojtje dhe të paaftë për të qenë efektiv në sulm. Skuadra duket e pafuqishme për t’i reaguar humbjeve, gjë që po i rëndon në aspektin psikologjik dhe po kërcënon të kompromentojë gjithë sezonin. “Nuk është çështje rezultatesh tani, është çështje paraqitjesh,” shpjegoi Guardiola. “Nuk ka vetëm një arsye për këtë situatë, sepse nëse do të kishte, tashmë do ta kishim zgjidhur problemin. Gjëja më e rëndësishme tani është të fitojmë, thjesht të fitojmë një ndeshje. Duhet të përgatitemi për Feyenoord-in dhe të mendojmë si ta mposhtim.” Askujt në Etihad nuk i shkon ndërmend një humbje të gjashtë radhazi përpara ndeshjes me Liverpool-in. Por në këtë moment, çdo gjë duket e vështirë për City-n. Dhe është pikërisht kjo që e bën këtë krizë kaq të rëndë, sa as rinovimi i kontratës së Guardiola-s nuk ka arritur të sjellë një kthesë të situatës.