Karius 5 muaj pa ekip, mund të ndryshojë jetë

Loris Karius po shijon jetën e tij në Itali dhe dashurinë e familjes. Futbolli, për momentin, nuk është pjesë e diskutimeve, veçanërisht sepse pas përvojës te Newcastle nuk ka marrë më oferta. Që nga qershori është lojtar i lirë dhe nuk sheh një rikthim të afërt në botën e futbollit. Madje, në moshën 31-vjeçare, ai mund të shqyrtojë një largim të hershëm për të ndryshuar plotësisht jetën dhe për t’iu përkushtuar gjërave të tjera. Portieri gjerman foli për SPORTbible dhe nuk e përjashtoi mundësinë e pensionimit të parakohshëm në muajt e ardhshëm. Sporti nuk është më një përparësi për të, edhe pse vazhdon të stërvitet për të qenë në formë. Në këtë fazë të jetës së tij, Karius sheh veten të përfshirë në pasione të tjera. Sezonet e fundit për të kanë qenë të varfra në kënaqësi. Finalja e humbur e Champions League me Liverpool e ka shënjuar, edhe pse te Besiktas gjeti një mënyrë për të rikuperuar dhe për të fituar vendin si titullar pas një periudhe të vështirë. Megjithatë, kthimi në Angli te Newcastle shkatërroi pritshmëritë: Karius ishte gjithmonë rezervë, zgjedhja e tretë e trajnerit, dhe sezonin e fundit luajti vetëm një ndeshje si titullar, që përfundoi me humbje 4-1.

Që nga qershori, kontrata e tij ka skaduar, Newcastle nuk e rinovoi marrëveshjen dhe asnjë klub tjetër nuk është interesuar për të. Karius nuk ka ende ide të qarta për të ardhmen, por një alternativë konkrete është tërheqja nga futbolli në moshën 31-vjeçare: “Nëse ke qenë jashtë për aq kohë sa kam qenë unë, atëherë, natyrisht, duhet të konsiderosh pensionimin. Nuk kam marrë ende një vendim, sepse nuk ka pse. Jam ende në formë. Kam ende të gjithë potencialin dhe aftësitë”. Vendimi nuk është marrë ende, por Karius është i sinqertë: “Nëse një derë nuk hapet, atëherë duhet të jem i sinqertë dhe t’i them vetes: ‘Dëgjo. Kam shumë gjëra të tjera që mund të ndjek, që më emocionojnë, që më argëtojnë dhe që më përfshijnë.’ Nuk mendoj se kjo do të më godiste aq fort, sepse e kam kaluar tashmë këtë proces gjatë viteve të fundit.”Ideja e tij është të ndryshojë jetë, të përkushtohet ndaj muzikës (një nga pasionet e tij më të mëdha) dhe të kalojë më shumë kohë me familjen. Gjithsesi, ai vazhdon të stërvitet dy orë në ditë në Itali për të ruajtur gjendjen fizike, në rast se do të vinte ndonjë ofertë e papritur.

sfidanti.al