Shqiptarët janë të aftë të krijojnë polemika edhe në rastet kur ndoshta nuk është vërtet e nevojshme. Situata e mundësve rusë që i siguruan vendit tonë dhe KOKSH-it medaljet e para olimpike është pikërisht rasti që na i vë në dukje një gjë të tillë. Me mbërritjen e mundësve në aeroport, ata u betuan e stërbetuan që ndihen shqiptarë dhe madje krenarë, shenjë e dukshme e presionit të pakuptimtë që rëndon edhe mbi ta. Valiev, Dudaev dhe Abakharov nuk kanë arsye për t’u ndier të tillë, nën presion dhe të paragjykuar. Ata medaljet e tyre i kanë fituar dhe detyrën si profesionistë e kanë bërë e madje arritën ta bëjnë Shqipërinë tonë të vogël protagoniste në tabelën e medaljeve që kishte filluar të na ngjasonte me një vrimë të zezë ku sa herë bëhej fjalë për suksese olimpike, na gëlltiste me mallkimin e saj. Ata që duhet të ndryshojmë në këtë mes jemi ne dhe të gjithë njerëzit që i rrethojnë dhe nxitojnë në ngjiten në podiumin e meritave përpara heronjve të vërtetë.
Valiev apo Dudaev po tentojnë të mësojnë përmendësh ndonjë fjalë shqip dhe sado të vështirë ta kenë, ata të paktën përpiqen dhe situata është kjo, e pashpresë për sportistët e lindur këtu, jo për faj të tyre por për fajin e atyre që sot i duartrokasin dhe përpiqen t’ua rrëmbejnë meritat me ndonjë premtim për rekord olimpik. Sot të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm që këta djem bënë maksimumin për ta nderuar atë flamur që vendosën të mbajnë mbi shpatulla. Ata e kanë respektuar madje më shumë se sa gjenerata të tëra peshëngritësish apo atletësh që në olimpiada kanë shkuar thjesht si figurantë.
sfidanti.al