Ishte e pritshme që do t’ia dilte, ndonëse ende kishte dyshime. Është Zhoel Embijd Lojtari më i Vlefshëm i sezonit të rregullt në NBA, për 2022-2023, ndërsa NBA mbylli votimet. Gjigandi i Filadelfias, i lindur në Kamerun, la pas rivalë tepër të fortë sidomos Nikola Jokiçin e Denverit dhe pas tij, Janis Adetokumbon e Miluokit. Embijd mori 73 vende të para në votim, Jokiç 15, ndërsa Adetokumbo 12. Diferenca është pra e madhe, ndonëse rivaliteti me Jokiçin ishte i fortë deri në fund. Ky ishte çmimi i parë sezonal për kapitenin e Filadelfias, që pati një vit për t’u mbajtur mend.
Ai doli shënuesi më i mirë i NBA-së këtë edicion me 33.1 pikë për ndeshje, i dyti titull radhazi, ndërsa pati 10.2 topa në tabela e 4.2 asiste mesatarisht për ndeshje. Embijd u bë i pari basketbollist i Filadelfias që e merr këtë çmim që pas Alen Ajversonit që ia doli në 2001, dhe i pesti gjithsej duke u bashkuar me yje si Erving, Maloun dhe Uilt Çembërlen. Tashmë, pritet që kamerunasi me pasaportë franceze dhe amerikane, të kthehet nga dëmtimi, dhe të ndihmojë ekipin në gjysmëfinalen e plej ofit në Konferencën Lindore të NBA-së ndaj Bostonit.
Sfidanti.al