Është shumë pranë titullit të parë në karrierë, dhe është në një moshë që mund të hapë një cikël. Maks Verstapen është edhe vetë një pilot i shkëlqyer, edhe makinën Red Bull e ka më të mirën për momentin, ndaj edhe po dominon në Formula 1. Kryeson Botërorin me 19 pikë më shumë se Ljuis Hamilton, dhe holandezi duket se meriton gjithçka sepse ka fituar 9 gara këtë vit ndaj vetëm 5 të kampionit 36-vjeçar anglez, Ljuis Hamilton. “Xhiroja e parë ishte shumë e rëndësishme , – tha Verstapeni më pas, – duhej të provoja të kaloja dhe ia dola mbanë. Gjithçka shkoi mirë dhe makina po ashtu u përgjigj mjaft mirë. Kemi bërë një hap të rëndësishëm drejt titullit”.
“Unë bëra gjithçka me makinën që pata, – tha Hamiltoni, – Red Bulli ishte më i shpejtë sot. Bëra një gabim në nisjes, por gjithsesi ajo që ndodhi nuk ishte për fajin tim. Më pas, u përpoqëm të ruanim gomat dhe të mbaja Sergion prapa”.
Sfidanti.al