Gina Schumacher, vajza e kampionit të Formula 1, Michael Schumacher, ka zbuluar se babai i saj kishte pësuar një aksident me kalë pak para ngjarjes fatale në vitin 2013, por pa lëndime serioze. Në një intervistë për Bild, 29-vjeçarja rrëfeu se babai i saj ra nga një kalë arab në Dubai, por nuk u dëmtua, vetëm pak para se të pësonte aksidentin dramatik në një vendpushim ski në Francë që e la shtatë herë kampionin e botës në koma. Gina theksoi rëndësinë që kuajt kanë pasur gjithmonë në jetën e saj dhe sesi ata e ndihmuan të përballonte pasojat e aksidentit të babait. “Që atëherë nuk mund të jetoja pa kuaj. Ata më ndihmuan të përballoja gjithçka”, tha ajo, duke theksuar se prindërit e saj gjithmonë e mbështetën në rrugën e saj si kalëruese profesioniste.
Michael Schumacher qëndroi në koma për gati gjashtë muaj pas aksidentit të skive në Meribel, ku pësoi dëmtime traumatike të trurit dhe ju deshën dy operacione. Sipas informacioneve më të fundit, gjendja e tij është përmirësuar, duke e lejuar të lëvizë në pronën e tij në Mallorca dhe në shtëpinë në Gland, nën kujdesin e ngushtë të gruas së tij, Corinna, dhe një ekipi terapistësh dhe infermierësh 24-orësh.
sfidanti.al

