Uembaniama mund të jetë dominuesi i ri i NBA-së!

Ende nuk është pjesë e kësaj lige, dhe është mjaft i ri për t’u lavdëruar shumë. Viktor Uembaniama (Wembanyama) është një basketbollist 18-vjeçar francez që po pritet me kërshëri të madhe të bëhet pjesë e NBA-së dhe gjerësisht mendohet se ai do të jetë numri 1 i përzgjedhjeve (draftit) të vitit të ardhshëm, 2023. Shtatlartë 2.20 metra, dhe ende me mundësi për t’u zgjatur, francezi adoleshent duket një lojtar shumëplanësh, i kompletuar. Ai di të shënojë, të kapë topa në tabela dhe të bllokojë gjuajtje. Djalë i një babai atlet dhe i një nëne basketbolliste, ai i ngjan shprehjen “bie dardha nën dardhë”. Këtë sezon, ai doli kampion në Francë me ekipin ASVEL, ndërsa tani ka nënshkruar kontratë me ekipin tjetër, Metropolitans 92. Me Francën U16 ai doli nënkampion i Europës në 2019. Në Kupën e Botës 2021 për 19-vjeçarët ai sërish doli nënkampion me Francën. Në finalen e humbur 81-83 me SHBA-në ai shënoi 22 pikë, kapi 8 topa në tabela dhe bllokoi 8 gjuajtje, një rekord.

Sfidanti.al