Mund të jesh kampion në fuqi i botës, mund të kesh tre tituj në 4 vitet e fundit, dhe të jesh i shkëputur në krye të renditjes. Në Formula 1 këto janë gjëra të mëdha, por jo gjithçka dhe Ljuis Hamilton këtë gjë po e provon vetë. “Aktori” kryesor i “Hollivudit” sportiv, të quajtur F1, ende nuk është në gjendje të bindë drejtuesit e Mercedesit se prioriteti i tij në jetë është fitimi i titullit kampion.
Dyshimet për përkushtimin e tij u shtuan kur ai udhëtoi me avion për 40 000 km për t’i bërë reklamë një biznesi personal, dhe po ashtu pas garës së fituar në Singapor, shkoi në Tajlandë për një tjetër reklamë. “Takova Toton (Volfin) dhe i thashë se çfarëdo që bëj në jetën time nuk është më e rëndësishme sesa fitorja e titullit, – theksoi anglezi, – shpesh njerëzit më pyesin nëse duhet ta ndryshoj stilin e jetës, por unë mendoj se kam një sjellje shumë profesionale ndaj punës, e kemi të gjithë si skuaër tek Mercedesi”.
Hamilton siguroi se ishte vetëm puna e tij e madhe dhe ajo e skuadrës që bëri të mundur shkëputjen me 40 pikë epërsi ndaj Ferrarit të Sebastian Fetelit, edhe pse Ferrari, sipas tij, ka qenë makinë pak më e mirë në këtë Botëror.
Sfidanti.al