Triumf ndaj Adetokumbos, deri ku mund të arrijë “ylli erratik” Luka Donçiç?!

Nuk është pak t’ia dalësh ndaj një kundërshtari të tillë, aq më tepër kur shpesh të dy mbuluan njëri-tjetrin. Luka Donçiç dhe Janis Adetokumbo patën një duel emocionues në Arenën e Miluokit dhe ylli i Dallasit ishte ai që tha fjalën e fundit. Djaloshi 23-vjeçar nga Sllovenia shënoi 32 pikë, kapi 8 topa në tabela e shërbeu 15 asistë, duke bërë edhe 3 vjedhje topi. Me 15 asistët e tij ishte më i rrezikshmi në fushë duke krijuar pikë të tjera për shokët. Donçiç është një “yll erratik”, një “bukuri e çrregullt” herë pas here, sepse humbi topin 6 herë dhe gaboi disa herë për tri pikë, por inteligjenca e tij është e nivelit më të lartë. Falë “Magjikut Luka” Pauelli shënoi 22 pikë, Bransonin 15, Bulloku 16 dhe Finej-Smith apo Dinuidi nga 11. Dallasi ia doli në fushën e Miluokit 118-112, ndërsa Adetokumbo nuk është se luajti keq. Shënoi 28 pikë, kapi 10 topa në tabela, shërbeu 2 asistë dhe vodhi 2 topa. Gjithsesi, nuk ishte ai i përhershmi, ndërsa Miluoki duhet të forcohet edhe më shumë për të pretenduar të mbrojë titullin.

Sfidanti.al