Tragjedi në një ndeshje hokeji në SHBA, të shtëna me armë, tri viktima

Një tragjedi e rëndë ka ndodhur gjatë një ndeshjeje hokeji për të rinj në shtetin amerikan të Rhode Island, ku një sulm me armë zjarri ka shkaktuar tri viktima, përfshirë edhe autorin e sulmit. Ngjarja ka ndodhur në ambientet e Dennis M. Lynch Arena, në qytetin e Pawtucket, duke tronditur komunitetin lokal dhe opinionin publik.

Shefja e policisë së Pawtucket-it, Tina Goncalves, ka deklaruar se edhe tre persona të tjerë ndodhen të shtruar në spital në gjendje kritike. Sipas autoriteteve, dyshohet se pas të shtënave qëndron një konflikt familjar. Sulmuesi raportohet se kishte shkuar në pallatin e sportit për të ndjekur ndeshjen e një të afërmi, përpara se situata të përshkallëzohej në dhunë.

Në mes të kaosit, disa spektatorë janë vlerësuar si “heronj” nga autoritetet, pasi kanë bashkëpunuar me forcat e rendit për të neutralizuar sulmuesin. Ndërhyrja e tyre e shpejtë besohet se ka kufizuar numrin e viktimave dhe të të plagosurve, duke parandaluar një bilanc edhe më tragjik.

Policia ka nisur një hetim të plotë për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe për të kuptuar më qartë motivet që çuan në këtë akt të dhunshëm. Ndërkohë, komuniteti lokal mbetet në gjendje shoku, ndërsa autoritetet kanë premtuar mbështetje për familjet e viktimave dhe për të gjithë ata që janë prekur nga kjo tragjedi.

sfidanti.al