Tyson Fury zbulon reagimin e familjes pas vendimit për rikthimin

Tyson Fury ka treguar se vendimi i tij për t’u rikthyer sërish në ring nuk është pritur mirë nga familja e tij. Boksieri britanik zbuloi se bashkëshortja e tij, Paris Fury, si edhe babai dhe vëllezërit e tij, refuzuan të flisnin me të pasi ai njoftoi rikthimin në boks.

I njohur si “Gypsy King”, Fury do të rikthehet në ring më 11 prill për t’u përballur me Arslanbek Makhmudov në ‘Tottenham Hotspur Stadium’, rreth një vit e gjysmë pas humbjes së tij të fundit ndaj Oleksandr Usyk. Edhe pse fansat dhe organizatorët e kanë mirëpritur rikthimin, rrethi i tij i ngushtë ka qenë kundër këtij vendimi. Në një intervistë, Fury pranoi se familja e bëri të qartë pakënaqësinë e saj: askush nuk donte që ai të rikthehej, por theksoi se vendimi është personal. Sipas tij, boksi është vendi ku ndihet më i lumtur dhe nuk ka plane të ndalet së shpejti, madje parashikon të vazhdojë të luftojë deri në moshën 50-vjeçare.

Ky është rikthimi i pestë i Fury-t nga pensionimi. Ai theksoi se zgjedh të boksojë nga dashuria për sportin dhe jo për arsye financiare, duke shtuar se e ka të vështirë të largohet nga ringu. Për përgatitjet, Fury ka zhvendosur kampin stërvitor në Tajlandë, ku stërvitet tri herë në ditë, gjashtë ditë në javë. Ai deklaroi se ndihet në formë të shkëlqyer fizike, më i shpejtë dhe më i fortë, ndërsa beson se kushtet klimatike po e ndihmojnë të ruajë nivelin maksimal për sfidën e ardhshme.

sfidanti.al