Kupa Dejvis ka qenë më së shumti “pronë” e vendeve anglosaksone. Më herët Britania e Madhe, thuajse gjithnjë SHBA dhe padyshim ndër superfuqitë edhe Australia, ishin dominueset e saj për dekada të tëra. Kompeticioni i sportit të quajtur aristokrat njohu edhe shtete dikur shumë të fortë si Franca apo Suedia, ndërsa nga lindja përfaqësuese ishte Çekosllovakia (më pas Republika Çeke).
Në këtë grup, më në fund, i bëri vend vetes edhe Argjentina. Atë që nuk e realizoi dot i famshmi Gijermo Vilas, lojtari i saj më i mirë në Kupën Dejvis, e bëri brezi i sotëm. Në Zagreb mposhti në mënyrë tepër dramatike Kroacinë vendase, duke qenë në buzë të greminës.
Huan Martin Del Potro, Leonardo Majer, Federiko Delbonis dhe Guido Peja, të drejtuar nga trajneri Daniel Orsaniç, ishin njerëzit që bënë të lumtur kombin e tyre, dhe mes të tjerëve edhe legjendën e madhe të futbollit Diego Armando Maradona. Katër finale të humbura (1980, 2006, 2008, 2011) u lanë pas.
Ka një “demokratizim” të kësaj kupe aristokratike, vitet e fundit. SHBA ka dalë kampione për herë të mbrame në 2007, Australia në 2003, Franca në 2001, ndërsa Suedia në 1998, ndërsa epoka e re ka emra si Kroacia, Serbia, Rusia, Zvicra, pa harruar Britaninë e Madhe apo Çekinë.