Ishte mbrëmja e sfidantëve dhe festuan Portlendi, Denveri si dhe Memfisi. Lebron Xhejms pati në krah Entoni Dejvisin, por sërish Los Anxhelos Lejkërsat nuk ia dolën edhe pse luanin në “Stejpëlls Sentër”. “Mbreti i basketbollit” sërish nuk zhgënjeu duke shënuar 29 pikë, kapur 9 topa në tabela e shërbyer 6 asistë, plus 2 vjedhje topi e 1 gjuajtje të bllokuar, por kundërshtari pati më shumë alternativa. Damien Lilard shënoi 31 pikë , Geri Trent Xhunior shtoi 28 pikë duke ardhur nga stolid he Mekkallëm realizoi 20. Këtyre u shtohen 12 pikë nga Kanter dhe 10 pikë nga Nurkiç për të kuptuar se përse ndeshja përfundoi 115-107 për Portlendin. Kjo ishte humbja e dytë në katër ndeshje për Lejkërsat në një fillim aspak të mirë të sezonit.
Duranti ndërkaq humbi, por pa qenë në parket. Ai dhe Kajri Irvingu u lanë jashtë ekipit nga Bruklini sipas një kalendari për të marrë veten nga dëmtimi, pasi dy yjet kishin kohë që nuk luanin, ndërsa u angazhuan në 3 ndeshje radhazi. Memfisi përfitoi nga kjo, ndonëse nuk kishte yllin e vet, Morant, dhe ndeshja në fushën e Bruklinit përfundoi 116-111 për miqtë pas kohës shtesë. Një duel i fortë u luajt në Arenën e Denverit ku vendasit më në fund arritën fitoren e parë duke mundur Hjustonin dhe Xhejms Hardenin. Nikola Jokiç bëri një paraqitje të shkëlqyer me një tripëll dabëll: 19 pikë, 12 topa në tabela e 18 asistë, plus 3 vjedhje topi e 1 bllokim gjuajtjeje. Ai ndihmoi shokët që të shënonin si Marrejn me 21, Millsapin me 19, Porterin e Harrisin me nga 14 apo Morrisin me 12. Harden shënoi 34 pikë për Hjustonin, por nuk mjaftoi dhe ndeshja përfundoi 124-111 për vendasit.
Sfidanti.al