Lampard tregon “grushtin”, por Çelsi i tij ka vetëm 1 fitore në 5 ndeshje!

“Ne do të dalim më të fortë nga kjo periudhë e vështirë”. Këto ishin fjalët e trajnerit të Çelsit, Frenk Lampard, i cili mbeti sërish i dëshpëruar nga skuadra e tij që barazoi 1-1 në “Stemford Brixh” me Aston Vilën. Edhe pse tifozët e bluve protestuan për një faull të Grelishit në golin e barazimit të Vilës, sërish londinezët lanë pikë dhe kanë tani vetëm 1 fitore në 5 ndeshje. Me 6 pikë më pak se Liverpuli kryesues dhe një ndeshje më shumë të luajtur, pozitat e ekipit të Lampardit nuk janë nga më të mirat, aq më tepër duke marrë parasysh shpenzimet e shumta për marrjen e lojtarëve si Haverc, Verner, Mendi e të tjerë. Olivie Zhiru shënoi për vendasit, por Anuar El Gazi barazoi për “vilansët” duke qenë goli i tij i pestë në 5 ndeshjet e fundit. Në të kundërt, Timo Verner luajti vetëm 20 minuta dhe sërish humbi rast për të shënuar. “Skuadra pati mentalitet shumë të mirë, – tha Lampardi, – ne meritonim fitoren, por nuk ia arritëm pra jemi në periudhë të vështirë, por do ta kalojmë”.

Sfidanti.al