Brezi i madh është në “këngën e fundit”, por skuadra mbetet madhështore. Është sërish Spanja, ekipi për t’u mundur në Europianin e basketbollit, në turneun më kontinental të të gjitha kohëve. Me tri fitore klinike, të thella dhe pa lënë asnjë diskutim, iberikët me përzierje “pleqsh” e “të rinjsh” u kualifikuan për në fazën e dytë, dy ndeshje para kohe.
Uria nuk është shuar pavarësisht 3 titujve europianë fituar në 4 edicionet e fundit, dhe pavarësisht se ësjtë fituar medalje në 7 nga 8 Europianët radhazi që nga viti 1999. Pau Gasol ka 37 vjeç mbi kurriz, vëllai i tij, Marku, është 32, katalanasi magjik Huan Karlos Navarro është po 37 vjeç, ndërsa Fernando San Emeterio 33 dhe Sergio Rodrigez 31. Pa shumë problem që “dinastia” Gasol po e mbyll pak nga pak, dhe që nuk janë më Garbahosa apo Kalderon, pasi “stafetën” është gati për ta marrë 22-vjeçari Huan Hernangomes, një nga yjet e rinj të Denverit në NBA.
Huan Hernangomes, më i miri ndaj Rumanisë në fitoren 91-50, në sallën rumune në Kluzh-Napoka, është 206 centimetra, dhe ka në krah vëllanë e tij, Vili Hernangomes, 23 vjeç, 210 centimetra, lojtar i Nju Jork Niksit po në NBA. Huani shënoi 18 pikë dhe kapi 12 topa në tabela ndaj rumunëve. Nën drejtimin e italianit Serxho Skariolo, Spanja pritet të triumfojë përsëri, ndonëse Serbia, Franca apo Rusia nuk do të dorëzohen vetë. Nëse ia dalin, iberikëve do t’u mbetet edhe një mision deri më sot i pamundur, fitorja e titullit kampion olimpik, ku kanë dalë katër herë nënkampionë.
Sfidanti.al