Gjendja shëndetësore e kampionit të Formula 1, Mikael Shumaker, është dokumentuar përmes një fotografie që shitet për 1 milionë dollar, bëjnë të ditur mediat angleze. Pas shumë kohësh heshtje rreth gjendjes së pilotit, një person i panjohur ka arritur ta fotografojë yllin e Formula 1 teksa qëndron në shtrat, për herë të parë pas aksidentit me ski në vitin 2013.
Fotografia e realizuar në vilën e Shumaker, në liqenin e Gjenevës, ka dal në tregun e zi dhe i është ofruar mediave evropiane për ta blerë kundrejt një shume prej 1 milionë dollarësh. Sipas prokurorëve gjermanë, një person i paidentifikuar i ka ofruar RTL-së fotografitë e gjermanit në këmbim të një shumë të madhe parash. Raportohet se tashmë kanë nisur hetimet për personin anonim, i cili ka shkelur privatësinë e pilotit të Formula 1.