Shumaher në Spanjë, çfarë po ndodh me kampionin gjerman?!

Shtatë herë titullmbajtësi i Formula 1, Mikael Shumaher, do të ndërrojë vendbanim. Kampioni më i madh në historinë e këtij sporti do të transferohet në ishullin e Majorkës në Spanjë (në ishujt Baleare), kuptohet në shoqërinë e familjes dhe të njerëzve të tij më të ngushtë.

Lajmin e konfirmoi kryebashkiakja e qytezës Andraç, Katia Ruarç. “Mund të konfirmoj se Mikael Shumaher do të vijë të jetojë në qytezën tonë, – tha ajo, – jemi duke punuar për ta pritur”. Shumi, që pësoi aksident të tmerrshëm ndërsa bënte ski në alpet franceze, vazhdon të jetë nën kujdesin e dendur të mjekëve, dhe ky kujdes do të vazhdojë edhe në Majorka.

Familja e tij do të vendoset në një shtëpi të madhe (vilë 3 000 metra katrorë) që ka kushtuar gati 30 milionë euro, dhe që është e pajisur me dy pishina, vend për zbritjen e helikopterit, kopsht të gjerë, si dhe është e rrethuar me mure të pakalueshme.

Shumaher besohet se ka dalë nga koma prej kohësh, ndërsa mendohet se ka nisur të ngrihet nga shtrati apo ndenjësja me ndihmën e të tjerëve. Profesori gjerman, Mark Oberman, thotë se Shumaheri mund të përmirësohet ndjeshëm, edhe pse nuk mund të kthehet në gjendjen që ka qenë para aksidentit.

Sfidanti.al