“Shigjeta” Hamilton duhet ende të mësojë nga “peshkopi” Shumaher!

Kur ia doli të arrinte “pole positionin” e radhës, ai doli nga makina dhe u përkul përpara “hundës” së saj, sikur po lutej. Ishte shumë i emocionuar Ljuis Hamilton pasi kishte arritur diçka vërtet shumë të madhe. Kjo ishte fitorja e tij e 68-të në provat zyrtare të Formula 1, po aq sa rekordi i legjendarit Mikael Shumaher. Ndërsa gjermani i madh dergjet i shtrirë në shtrat në shtëpinë e tij në Zvicër, duke luftuar në çdo çast me vdekjen, Hamilton synon të fitojë Çmimin e Madh të Belgjikës në Spa-Frankorshamp, veçse pa e harruar ish-kolegun e tij.

“Lutem përditë për të, – u shpreh anglezi pas provave, – kam pasur nderin dhe privilegjin të garoja me të, dhe gjithmonë e kam admiruar, po ashtu si edhe tani. Jam i nderuar që e kam barazuar me fitoret në prova”. Menjëherë sapo ai barazoi rekordin, Ljuisit i erdhën përgëzimet nga familja e Shumit, fjalë që i solli Ros Braun, anglezi që ishte krahu i djathtë i fitoreve të Mikaelit. Hamilton arriti 68 fitore në prova në vetëm 200 gara, ndërsa Shumit iu deshën 308 të tilla.

Gjithsesi, piloti 32-vjeçar ka ende çfarë të mësojë nga edukata e punës dhe disiplina e jetës e gjermanit, që fitoi 7 tituj botërore, ndaj 3 të britanikut, si dhe arriti 91 fitore në karrierë, ndaj 57 të Ljuisit. Gjithsesi, mesatarja fitore/gara është thuajse e njëjtë, 29.55 për qind për Shumin dhe 28.64 për anglezin. “Llogarinë” sot Hamilton e ka me Sebastian Fetelin, pasi piloti i Ferrarit kryeson renditjen e Botërorit me 14 pikë diferencë, dhe në provat belge doli i dyti.

Sfidanti.al