Sharapova thumbon Voznjackin: “S’po e shoh ku është ?”

Maria Sharapova fitoi 2-0 (7-5, 6-2) ndaj tenistes Sofia Kenin, duke u kualifikuar për në raundin e 4-t të turneut Grand Slem, US Open. Tenistja ruse e shfrytëzoi këtë rast që të thumbonte ish-tenisten nr.1 të botës Karolona Voznjacki. Sharapova luajti në Grand Slemin e saj të parë, mbas pezullimit 15-mujor, me të cilin ajo dënua për përdorim të substancave të ndaluara, pasi mori nga organizatorët e këtij turneu “Wild Card” (ftesë të veçantë).

Maria, sikurse thamë më lart, shfrytëzoi rastin që të thumbonte Voznjackin që i kritikoi organizatorët e turneut në fjalë se e kishin favorizuar Sharapovën, duke e lejuar atë që të luante në stadiumin  “Artur Esh”

“Nuk jam unë ajo që përcaktoi se ku do të luajë njëri ose tjetri. Unë jam një konkurruese e vërtetë dhe jam gati të luaj kudogjetkë, madje edhe në parkingun e Kuinsave! Për mua, nuk ka rëndësi se ku luaj. Rëndësi ka se, tani, u kualifikova për në raundin e 4-t. Por… nuk po e shoh atë, ku është ajo (Voznjacki)?”, tha Sharapova para gazetarëve. Karolina Voznjacki u eliminua në raundin e 2-të, ndërsa ndeshja e saj që, fillimisht, ishte caktuar të luhej në fushën nr.5, kurse, më pas, u zhvendos në fushën në 17, duke shkaktuar pakënaqësi te kjo teniste.

Sfidanti.al