Kanë mbetur 11 gara deri në fund të Botërorit 2025 të Formulës 1, por gjithçka tregon se kampioni do të jetë njëri nga dy pilotët e MekLarenit. Ekziston një statistikë që tregon dominimin dërrmues të makinave me ngjyrë portokalli. Në pistën prestigjioze “Spa-Francorchamps”, ata siguruan dopietën e tretë radhazi. Për më tepër, ekipi me bazë në Uoking ka fituar pesë nga gjashtë garat e fundit të kampionatit dhe një total prej 10 nga 13 të mbajtura deri më tani. Kështu që ky Kampionat Botëror të jetë i pari për Oskar Piastrin ose Lando Norrisin. Në Çmimin e Madh të Belgjikës, australiani përsëri e tejkaloi shokun e tij të skuadrës, edhe pse Norris nisi nga pozicioni i parë. “Nuk pata kthesën 1 më të mirë, por Oskar do të më kishte kaluar, gjithsesi. Ai kishte ritëm dhe rrjedhë më të mirë. Nuk jam shumë i zhgënjyer, por duhet të rishikoj se çfarë mund të kisha bërë më mirë”, tha piloti britanik pas garës së gjatë në Spa, event që e çoi në -16 pikë nga shoku i skuadrës. Lando bëri edhe gabime në pika të tjera që i kushtuan kohë të çmuar. Ai që i hedh benzinë zjarrit në luftën e brendshme te MekLaren është “i pamëshirshmi” Niko Rosberg. “Nëse po shkon me kulmin e shpejtësisë, mund të bësh gabime. Pyes veten nëse dikush si Luis Hamilton do të kishte bërë ato gabime që bëri Norris. E kemi parë Hamiltonin të shtyjë si i çmendur në një garë shumë herë. Kur erdhi puna te koha e goditjes, nuk e pamë të bënte ato gabime. Nuk mendoj se kjo do t’i kishte ndodhur atij. Luis nuk do t’i kishte bërë ato 3 gabime”, tha kampioni botëror i F1 në vitin 2016.
sfidanti.al