Kur ai është në formën maksimale, skuadra zakonisht fiton. Rasëll Uestbruk është sërish shpresa e madhe e Oklahomës për të synuar diçka të madhe në sezonin e ri të NBA-së. Kontributi i madh i kapitenit bëri që vendasit të triumfonin ndaj Indiana Pejsërsit, me shifrat 114-96. Uestbruk pati 28 pikë, 10 topa në tabela dhe 16 asistë, duke u treguar po aq dominues sa në ditët e tij më të mira.
Jo gjithnjë i saktë në gjuajtje, por tepër këmbëngulës dhe shumë i fortë fizikisht e atletikisht, Uestbruk ishte faktori kryesor në suksesin e skuadrës. Për fat, drejtuesit kanë bërë përpjekje të mëdha për ta përforcuar ekipin, që ndoshta mund të pretendojë titullin, ndonëse renditja aktuale nuk është shumë e mirë, me 2 fitore e 2 humbje. Një vit pas largimit të Kevin Durantit, tek Oklahoma erdhën Karmelo Entoni dhe sidomos Pol Xhorxh, i cili ishte kundër ish-ekipit të tij. Entoni pati 28 pikë e 10 topa në tabela, po aq sa Uestbruk, Xhorxh vetëm 10, ndërsa Stiven Adams shtoi 17 pikë e 11 topa në tabela.
Gjithsesi, ishte numri 0 shpirti i skuadrës përballë Indianës që nuk u dorëzua deri në periudhën e katërt. Ky ishte “tripëll dabëlli” i dytë i sezonit për Uestbrukun, dhe i 81-ti në karrierë, ndërsa mban vendin e katërt në renditjen e të gjitha kohëve. Do të duhet të realizojë një sezon të madh që të arrijë në podium, pasi Xhejzën Kid i vendit të tretë, ka 107 “tripëll dabëll”.
Sfidanti.al