Rafael Nadali nuk di të ndalet, kur raketa i merr “zjarr”

Tenisti më i mirë aktual në botë, Rafael Nadal, triumfoi në turneun e hapur të SHBA-së, US Open, pasi në finalen e këtij të fundit, brenda dy orësh e gjysmë, mundi Kevin Andersonin me rezultatin 3-0 me sete (6-3, 6-3, 6-4), duke siguruar kështu titullin e tij të tretë në Nju Jork dhe, gjithsej, të 16-tin në karrierën e tij. Duhet të theksohet se, në këtë finale, nuk kishte asnjë paqartësi se kush do ta fitonte atë, pasi, që në fillim, Andersonit nuk i funksionoi “arma” e tij më e mirë, shërbimi, kështu që tenistit spanjoll iu lehtësua shumë detyra.

Tani, Nadali ëshë një nga gjashtë tenistët që kanë fituar tre ose më shumë trofe në US Open: Federer, Sampras, Konors (5), Mekinro (4) dhe Lendl. Për Kevin Andersonin, kjo ishte finalja e parë në një turne Grand Slem dhe, në listën më të re të ATP-së, të publikuar dje, ai kërceu 17 vende dhe, tani, ndodhet në vendin e 15-të.

Sfidanti.al