Çfarë mund të jetë një kombinim i tillë, një vajzë e lindur nga një baba rumun, nënë kineze, me vendlindje në Toronto të Kanadasë, dhe me vendbanim tani si 18-vjeçare në Bromlej të Britanisë së Madhe?! Nëse quhesh Ema Radukanu ke mundësi të bëhesh ylli i ri i tenisit botëror të femrave dhe të fitosh një Grand Slem të shquar si US Openi. Ajo mbërriti çerekfinalet në Nju Jork duke mundur favoriten e shtëpisë, amerikanen Shelbi Roxhers me rezultatin 2-0 me sete (6-2, 6-1) edhe pse amerikania e nisi ndeshjen më mirë. Në tribunë ishte veterania britanikeVirxhinia Uejd që doli kampione në US Open në 1968. Vetë Radukanu falenderoi Uejdin dhe tha se kishte marrë zemër nga kualifikimi në çerekfinale i dy adoleshentëve të tjerë si spanjolli Alkaraz dhe Lejla Fernandez e Kanadasë. Në çerekfinale, britanikja do të ndeshet me kampionen olimpike në fuqi, Belinda Bençiç që eleminoi kampionen e Rolan Garosit, polaken Iga Sviontek.
Sfidanti.al