Prag Usik-Xhoshua, ukrainasi mbron titullin botëror në boks në emër të Ukrainës!

Kur këta dy burra dolën përballë njëri-tjetrit në Londër, lufta nuk kishte shpërthyer ende. Ukraina ishte nën presion, por gjithsesi në paqe të brishtë, ndërsa brohoriti për boksierin e saj, Oleksandr Usik, që shkaktoi një të papritur të madhe në 25 shtator 2021 duke mundur favoritin Entoni Xhoshua në stadiumin e “Totenhemit”. Ukrainasi triumfoi me meritë ndaj anglezit që ishte përballë tifozëve të tij, duke i marrë katër brezat e artë në WBA, IBF, IBO e WBO, pra duke u shpallur kampion i botës në peshat e rënda profesionite.  Kanë kaluar 11 muaj dhe sonte do të jetë revanshi në Arabinë Saudite, në orën 2 të natës sipas kohës së Shqipërisë.

Rivalët realizuan peshimin në Xheda, dhe Usiku doli 100 kg, 11 kg më pak sesa Xhoshua. Edhe në shtatlartësi, britaniku 32-vjeçar është 7 cm më i gjatë sesa rivali i tij ukrainas, duke qenë 1.98 metra ndaj 1.91. Usiku është këtë herë favorit, dhe jo vetëm sepse është kampioni. Boksieri 35-vjeçar nga Krimea vlerësohet për klasin e tij të lartë, shpejtësinë e këmbëve dhe të grushtave, si dhe për stilin e ashpër të përgatitjes. Ai do të ketë një arsye më shumë për të fituar, pasi dëshiron t’i japë një kënaqësi kombit të tij, të sulmuar ushtarakisht nga Rusia.

“Ju e keni parë se parashikimet tuaja nuk kanë dalë gjithmonë, – u tha ukrainasi mediave britanike, – në sytë e tij, ndërsa ishim përballë njëri-tjetrit, unë pashë veten time, pashë reflektimin e saj. Sesi do të dalë ndeshja, do ta shohim në ring. i falenderoj të gjithë ata që na mbështetin. Zoti na ndihmoftë”.

Sfidanti gjithsesi ka besim. “Nuk ka rëndësi sesi del peshimi, – tha Xhoshua, – rëndësi ka ndeshja, gjithçka ka lidhje me ndeshjen, jo spektakli përpara saj. Unë mendoj vetëm për dyluftimin. Rëndësi ka që të bjerë gongu dhe ne të ndeshemi për titujt botërorë. Unë jam gati për 12 raunde, kjo është 100 për qind e sigurt, dhe nëse zgjat më pak, do të ishte një bonus”. Gjithsesi, Usiku, që vjen nga vija e frontit, e përshëndeti vendin e tij me një këngë popullore tradicionale ukrainase, që simbolizon rezistencën ndaj Rusisë.