Pesë fitore jashtë fushe pa Durantin, mos vallë Bruklini është favoriti në NBA?

Kishte 11 vjet që nuk ishte parë kjo në NBA. Pesë fitore radhazi jashtë fushe i kishte arritur për herë të fundit Çikago Bulls në 2010, por ja që kjo paraqitje u përsërit nga Bruklin Netsët. E mbiquajtura “Skuadra e Yjeve” arriti një triumf me autoritet në Los Anxhelos ndaj Klipersave112-108, duke mundur një nga pretendentët për titull. Pesë fitore radhazi jashtë fushe janë gjithashtu rezultati më i mirë në histori për këtë klub pa shumë emër.

Lideri në “Stejpëlls Sentër” ishte Xhejms Hardeni, ylli i ardhur me shumë zhurmë nga Hjustoni, që fitoi duelin e madh me Kauai Leonardin. Harden shënoi 37 pikë, ndërsa shtoi 11 topa në tabela, 7 asistë dhe 2 vjedhje topi. Kajri Irving e ndihmoi me 28 pikë dhe 8 asistë, ndërsa miqtë hodhën në fushë gjithsej 8 lojtarë, të shqetësuar nga dëmtimet. Kjo nuk i pengoi për të vazhduar marshimin, ndonëse në periodën e tretë vendasit u afruan rrezikshëm.

Për Klipersat, Leonardi shënoi 29 pikë, si dhe kapi 13 topa në tabela e shërbeu 3 asistë, ndërsa më i miri ishte Pol Xhorxh me plot 34 pikë, 6 topa në tabela e 7 asistë. Kjo ishte gjithashtu fitorja e 6-të radhazi për Bruklinin, ndërsa jashtë fushe ka mundur radhazi Golden Stejtin, Sakramenton, Feniksin, Klipersat dhe Lejkërsat Tani pritet rikthimi nga dëmtimi i yllit kryesor, Kevin Durant, që skuadra me bazë në Nju Jork të jetë në versionin e saj më të mirë. Jo më kot është në vendin e dytë në Konferencën Lindore, ndërsa synimi final është titulli në basketbollin amerikan.

Sfidanti.al