Me shumë siguri, ky djalosh në tribunën e stadiumit “Arthër Ejsh” (Arthur Ashe) nuk e kishte aspak për zemër numrin 1 të botës, dhe u përpoq ta shpërqëndronte tepër shpesh, ndërsa ai ndeshej me holandezin Grikspor. Novak Gjokoviç po synon të bëhet i pari tenist në 53 vjet që të realizojë një “Grand Slem Kalendarik”, dhe që të thyejë rekordin e Grand Slemeve të një tenisti në karrierë, por pikërisht për këto arsye tifozi që mbetet i paidentifikua vazhdoi shpesh e shpesh që ta shqetësonte. Kaq shumë bërtiti ai në momentet që Gjokoviç godiste topin, saqë tenisti serb shkoi tek gjyqtari dhe u ankua. Në fund, ai fitoi 3-0 me sete (6-2, 6-3, 6-2) ndeshjen e raundit të dytë në US Open, ndërsa në përfundim të setit të parë i hodhi një vështrim të zemëruar tifozit në fjalë. “Nuk e kam problem që tifozët të bëjnë zhurmë, – tha Nole, – as që hera-herës të bërtasin apo ulërasin për shkak të emocioneve. Veçse, kur dikush e bën vazhdimisht kundër meje, kjo është diçka tjetër që mund të tolerohet vetëm deri në një farë pikë. Ai tifoz e dinte shumë mirë se përse e bënte këtë gjë”.
Sfidanti.al