Një sportist shpesh thuhet se mund të ushtrojë çdo lloj sporti, veçse jo kur përballë mund të ketë profesionistë. Këtë e provoi edhe një nga ikonat e futbollit, Paolo Maldini, i cili pësoi një humbje turpëruese në karrierën e tij të re si tenist.
Italiani, që është sot 49 vjeç, u mposht 0-2 me sete (1-6, 1-6), në një përballje të dysheve në turneun ATP “Aspria Harbër Klub” në Milano. Maldini pati në krah shokun e tij, Stefano Landonio dhe morën një ftesë (as nuk mund të kualifikoheshin ndryshe), veçse u ndeshën me tenistë të karrierës.
Polaku Tomash Bednarek dhe holandezi David Pel ishin shumë të fortë për dy italianët, edhe pse nuk janë ndër emrat e mëdhenj të tenisit dhe sot janë të vjetër. Bednarek është 35 vjeç dhe quhet specialist në dyshe, duke arritur vendin e 40-të në botë në 2014.
Pas humbjes së rëndë, Maldini u vu në lojë nga mediat e ndryshme sportive, të cilat i kujtuan “se ndoshta, do të kishe qenë më mirë po të kishe luajtur ende futboll”.
Sfidanti.al