“Gjela” të tillë janë mësuar gjithnjë të mburren, edhe kur e dinë se mund t’i prishin punë vetes. Konor Mekgregor dhe Flojd Mejuedhër Xhunior janë pranë dështimit të marrëveshjes për një ndeshje mes tyre, në një kryqëzim të arteve të përziera marciale me boksin. Këtë herë ishte irlandezi Mekgregor që provoi amerikanin Mejuedhër. Ai postoi foto të tij në rrjetet sociale, me sqarimin “jam në Las Vegas, por Mejuedhër është tërhequr nga sporti përpara sesa unë të vija këtu”. Më tej, një tjetër diçiturë “jam duke shijuar qytetin tim”.
Mejuedhër, aspak më pak mendjemadh sesa irlandezi, u përgjigj flakë për flakë me postimin “nëse dëshiron një ndeshje me mua, rregullo punën me UFC-në (federatën e MMA-së ku garon Konori) dhe pastaj thuaju njerëzve të tu të kontaktojnë me njerëzit e mi”. Mejuedhër hodhi poshtë lajmet se arritja e një marrëveshjeje ishte shumë pranë. Gjithsesi, më herët ka pasur edhe “kunja” të tjerë, me Mekgregorin që është shprehur publikisht se “dua ta mund Mejuedhërin”, ndërsa amerikani ka bërë ironi duke thënë se “nuk mund të kërkosh 25 milionë dollarë kur vlen 2.5 milionë”.
Sfidanti.al