Oklahoma humb me Uestbrukun, Golden Sejti pa Durantin

Ylli i Oklahomës ishte në parket dhe skuadra e tij humbi, ish-ylli i Thandërit nuk ishte dhe skuadra e tij e re, Golden Stejti, po ashtu pësoi disfatë. Fatin e patën të njëjtë Rasëll Uestbruku dhe Kevin Duranti, pavarësisht se personalisht ishin në gjendje krejt të ndryshme. Uestbruk luajti për Oklahomën në ndeshjen e fortë në fushën e Portlendit. Jo vetëm luajti, por edhe shkëlqeu duke shënuar 45 pikë, me ndeshjen e tretë radhazi që arrin shifrën 40. Ai nuk ia doli të mbërrinte në “tripëll dabëll”, pasi pati 8 topa të kapur në tabela dhe 4 asiste, veçse e ruajti mesataren “tripëll dabëll” sezonale (31.4 pikë, 10.6 tabela, 10.1 asistë). Pra, rekordi i Oskar Robertsonit sërish mund të arrihet, por Oklahoma pësoi humbjen e 25-të (ka 35 fitore), 109-114 në Portlend.

Durant nuk ishte fare në fushë për Golden Stejtin që kaloi një mbrëmje të vështirë në fushën e Çikagos. Humbje 87-94 për nënkampionët e NBA-së në fuqi, që shënuan shumë pak pikë, krejt ndryshe nga zakonisht. Durant mungoi për shkak dëmtimi, Stefën Kërri shënoi 23 pikë, ndërsa Klej Tompson vetëm 13, ndërsa Bullsat ishin më të fortë. Gjithsesi, Golden Stejti mbetet skuadra më e mirë e sezonit në NBA.

Sfidanti.al