Arsenali nuk është një klub që mund të japë rrogat e Mançester Junajtidit, Mançester Sitit apo Çelsit. Për një arsye apo një tjetër, “topçinjtë” janë të detyruar të sakrifikojnë suksesin sportiv për të mbijetuar në një botë të egër dhe pa (shumë) rregulla si futbolli. Rasti më i fundit i pafuqisë financiare të londinezëve është ai i Aleksis Sançezit, pasi lojtari më i mirë i ekipit nuk mund të paguhet aq sa dëshiron. Sulmuesi kilen erdhi në “Emirejts” me rrogën 130 mijë stërlina në javë (siç paguajnë anglezët), por bisedimet për rinovim kanë ngecur.
Klubi është gati t’i japë deri në 180 mijë stërlina në javë, por mediat shkruajnë se Sançez nuk do të pranonte më pak sesa 250 000 stërlina në javë. Kjo shifër është krejtësisht jashtë mundësive të Arsenalit, dhe duket se ish-lojtari i Barcelonës do të largohet në verë, në mënyrë që klubi të përfitojë diçka nga kartoni i tij, pasi kontrata e tanishme përfundon në 2018. Në të njëjtën situatë është edhe Mesut Ozil, ndërsa për kilenin ofertat nga Kina nuk mungojnë.
Arsenali, i ndërgjegjshëm për situatën, ka nisur kërkimet për ta zëvendësuar Sançezin dhe përfliten emrat e Marko Rojsit, Andre Silvës apo Aleksandër Lakazetit. Besohet se ky kufizim financiar është arsyeja se përse Arsen Venger ka mbijetuar në stol edhe pse nuk e fiton titullin që nga viti 2004. Me një bazë tifozësh prej vetëm 30 milionësh në të gjithë botën, të ardhurat nga marketing për Arsenalin nuk mund të krahasohen, të themi me Mançester Junajtidin që ka 330 milionë tifozë në të gjithë rruzullin.
Sfidanti.al