Oklahoma më në fund po shfaqet ashtu siç e duan tifozët e saj. Pak vjet pas largimit të Kevin Durantit, skuadra e quajtur “Vetëtima” (Thandër-Thunder) ndodhet pranë kreut të renditjes në Perëndim, udhëhequr nga dyshja Pol Xhorxh-Rasëll Uestbruk. Ata kaluan një provë tepër të vështirë, atë në fushën e Portlendit, një skuadre gjithashtu shumë të rëndësishme në NBA.
Suksesi ishte 111-109 dhe Pol Xhorxh ishte shënuesi më i mirë në fushë me 37 pikë. Ai shtoi edhe 8 topa të kapur në tabela, 2 asistë dhe një vjedhje topi. Uestbruk nuk e arriti dot tripëll dabëllin e radhës, por gjithsesi ishte mirë me 31 pikë, 9 topa në tabela e 7 asistë. Aspak keq për të.
Portlendi luftoi fort mbështetur tek Damien Lilardi dhe Jusuf Nurkiçi. Amerikani shënoi 23 pikë e dha 8 asistë, ndërsa boshnjaku shtoi 22 pikë, kapi 10 topa në tabela, si dhe vodhi 3 topa.
Oklahoma është në vend të dytë në Konferencën Perëndimore me 25 fitore e 13 humbje, ndërsa Portlendi është i 7-ti po në Perëndim (22-17).
Sfidanti.al