Nokaut apo shtyrje, pak rëndësi ka për Mekgregorin ndaj Mejuedhërit

Konor Mekgregor mund ta hedhë përtokë në një moment të caktuar, një boksier të mirë si Poli Malinjaxhi, që prej kohësh nuk është në kulmin e formës së tij dhe që nuk ka kapur nivele të tilla të boksit profesionist, sa të ndeshej me gjigandë të ringut. Malinjaxhi, ish-partner në stërvitje i Mekgregorit, këmbëngulte këto ditë se ai nuk ishte hedhur nokaut nga irlandezi, por thjesht ishte shtyrë. Kjo, pasi në rrjetet sociale kishte dalë një foto ku Malinjaxhi dukej i rrëzuar para Mekgregorit.

Së fundi, shefi i UFC-së, Dejni Uajt, postoi një video ku tregohet momenti i goditjes me grusht të Malinjaxhit nga Mekgregori. Pra, është rrëzim me grusht, edhe pse ish-boksieri u përgjigj duke thënë se “videoja është prerë aty ku gjyqtari thotë se nuk ishte nokaut”. Gjithsesi, sido që të jetë puna, edhe një nokaut ndaj Malinjaxhit nuk është një provë e madhe që Mekgregor mund të fitojë me Flojd Mejuedhër Xhuniorin. Amerikani që ka mësuar boksin në moshën 3-vjeçare nga i ati, është një nga legjendat e sportit, i krahasueshëm me Muhamed Aliun, Xhorxh Foremanin, Majk Tajsonin, Roki Marcianon, Manu Pakiaon, Lenoks Ljuisin apo Oskar De La Hojën.

Sfidanti.al