Noah Lajls nxjerr mallin e Usain Boltit në Ligën e Diamantit!

Rezultati më i mirë i vitit në garën kryesore të atletikës u arrit në stadiumin e Shangait, në garën për Ligën e Diamantit (Diamong League). Një duel mes dy amerikanëve bëri që të arriheshin kohë të shkëlqyera, dhe të zhvillohej konkurrimi më i veçantë në 3 vitet e fundit, saktësisht që nga finalja e Lojrave Olimpike në Rio de Zhaneiro në 2016.

Fitues doli amerikani Noah Lajls me kohën 9”86, madje fotofinishi dha kohën 9”852, më e mira e vitit. Ai kaloi pikërisht në finish amerikanin tjetër, Kristian Koleman, i cili udhëhoqi garën që në fillim, dhe që e mbylli me 9”858. Pra fituesi u përcaktua për 6 të mijtat e sekondës! Të katër atletët e vendeve të para dhanë kohë nën 10 sekonda, me Akani Simbine që vrapoi 100 metrat për 9”95, dhe Risi Preskod për 9”97. Për herë të parë që nga Olimpiada e Rios, dy atletët e parë e ulën kohën nën 9”90.

“I thashë trajnerit para garës, se ishte dita e duhur, – tha Lajlsi, – isha tepër në formë, e ndjeja. E dija se nëse nuk do të lejoja rivalët të shkëputeshin, do të fitoja në finish”. Usain Bolti tashmë është larguar nga sporti, por duket se ka lënë disa pasardhës të denjë.

Sfidanti.al