Mesi barazon legjendën Zarra, “prek” Këpucën e Artë të Europës

Trofeun “Piçiçi” në Spanjë e kishte të sigurt, por thjesht pritej përfundimi i kampionatit. Lionel Mesi fitoi një tjetër Këpucë të Artë në La Liga, të 6-ën në karrierë, duke lënë pas emra të mëdhenj si Kini (Quini), Hugo Sançez e Di Stefano, dhe duke barazuar legjendën e golit, Telmo Zarra. Ylli i Barcelonës ia ka dalë në 2010, 2012, 2013, 2017, 2018 e 2019, ndërsa këtë edicion shënoi plot 36 gola në 34 ndeshje të luajtura.

Në total, në gjashtë sezonet kur ka fituar, “Pleshti” ka realizuar 236 rrjeta në 208 takime, me mesatare 1.35 gola për ndeshje. Zarra ka qenë pak më modest, me 164 realizime në 155 herë që ka dalë në fushë, dhe mesatarja i bie 1.06 gola për ndeshje. Gjithsej, në La Liga, argjentinasi ka 418 shënime, duke vazhduar të thellojë rekordin që e mban vetë.

Mesi shpreson të fitojë edhe Këpucën e Artë të Europës. Rivali i I vetëm që i ka mbetur është Kilian Mbape, që ka shënuar 32 herë në kampionatin francez, ndërsa ka edhe një ndeshje për të luajtur. Sulmuesi i Paris SG duhet të shënojë 4 herë për t’u barazuar me Mesin, dhe për ta ndarë të dy Këpucën e Artë, si në 2014, kur e ndanë Kristiano Ronaldo e Luis Suarez. Nëse shënon 5 herë, do të jetë francezi Këpucë e Artë.

Sfidanti.al