Një maratonë e përgjakur! “Mbretëresha” e re është superfemër…

Një atlete nga Bjellorusia u bë atraksioni më i madh i kampionatit evropian të atletikës që sapo u zhvillua në Berlin dhe jo vetëm për shkak të medaljes së artë që ajo fitoi në garën e maratonës. Volga Mazuronak është heroina e re e atletikës, pasi ajo kaloi përmes një golgote (rruge të mundimshme) të vërtetë që të arrinte deri te medalja e artë në Berlin.
Kjo vrapuese bjelloruse zuri vendin e pesë në Olimpiadën e fundit të Rio De Zhaneiros dhe erdhi në Evropian si një nga kandidatet kryesore që të fitonte vendin e parë. Garën, në fakt, ajo e filloi mirë, pasi, që në fillim, u përfshi në grupin udhëheqës të garueseve, por gjysmë ore mbas fillimit të garës, asaj nisi t’i dalë gjak nga hundët.
Volga e vazhdoi garën, megjithëse gjaku nuk po pushonte të rridhte, ndërkohë që fytyra iu gjakos pothuajse e gjitha, por, megjithatë, ajo vazhdonte të vraponte në grupin kryesues të garës. Në një nga pikat në krah të rrugës së vrapimit, asaj i dhanë një sfungjer, me të cilin ajo e fshiu gjakun nga fytyra, ndërsa arriti që ta ndalonte rrjedhjen e tij nga hunda. Por, problemet nuk mbaruan me kaq, pasi në fund fare kjo vrapuese bjelloruse gaboi korsinë, duke e lënë rivalen kryesore të saj, francezen Klemens Klavin, që ta arrinte atë, kështu që 100 metrat e fundit të dy garueset e mësipërme vrapuan pothujase në një vijë, deri sa në fund Volga nxori nga vetja atomet e fundit të forcës, arriti të dalë e para dhe të fitojë medaljen e artë.
Sfidanti.al