Xhef Horn është një djalë australian nga Brisbejni. Profesioni i tij i parë ka qenë mësues, por pasioni i përhershëm, boksi. Përfundimisht, pasioni fitoi dhe ish-mësuesi Horn ka këtë të diel shansin të ndeshet me një nga legjendat e këtij sporti, Manu Pakiao. Pra kemi një tjetër “rrahje”, veçse jo të “Shekullit”, edhe pse në ringun e Brisbejnit do të luftohet për titullin botëror WBO në peshat e mesme.
“Unë do të kthehem në Filipine si fitues”, – ishin fjalët e Pakiaos, ndërsa buzëqeshte në peshim, me filipinasin që synon një revansh ndaj Floid Mejuedhërit. Pakiao është 11 herë kampion në 8 kategori të ndryshme, ndërsa do të ketë ndeshjen e 68-të. Gjithsesi, nuk do të jetë edhe aq e leht ndaj ish-mësuesit 29-vjeçar Horn që ka 17 fitore dhe asnjë humbje që nga viti 2013 kur u bë boksier profesionist.
Në peshim, Pakiao doli 66.1 kg, ndërsa Horn 66.3, veçse australiani u detyrua të humbiste gati 5 kg në 15 orë që të mund të ishte brenda rregullave. Pakiao është 38 vjeç, është kampion në fuqi i WBO-së dhe ka bilancin 59 fitore e 6 humbje.
Sfidanti.al