‘Singing in the rain’ mund të jetë një motiv që mund t’i përshtatet fare mirë Marc Marquez në ditën e provave kualifikuese të Çmimit të Madh të Gjermanisë në Botërorin e MotoGP. Piloti spanjoll i Hondës, nuk u tremb aspak nga asfalti i lagur në pistën e Sachseringut duke u shfaqur një rrufe e vërtetë teksa fitoi pole position me kohën 1 minutë 27 sekonda e 302 të mijtat. Kundërshtarët e spanjollit e kishin të vështirë për t’iu kundërpërgjigjur dhe vendin e dytë e zuri Danilo Petrucci me 160 të mijtat më shumë se kampioni në fuqi i botës, ndërkohë që vendin e tretë duke plotësuar vijën e parë të nisjes e pushtoi piloti tjetër i Hondës zyrtare, Dani Pedrosa. Yamaha dhe Ducati zhgënjyen totalisht tifozët e tyre. Për Yamahën rezultatin më të mirë e shënoi Valentino Rossi i renditur në vendin e 9, ndërsa Maverick Vinales shënoi kohën e 11. Te Ducati është Jorge Lorenzo ai që ka një pozicionin më të mirë me spanjollin që u klasifikua në vendin e 6, ndërkohë që Dovizioso nuk shkoi më shumë se vendi i 10.
sfidanti.al