Nga “ferri” në “parajsë”, Miluoki vendos rekordin e 3-pikëshave në NBA!

Ndërsa gdhihej e hëna në Shqipëri, kjo skuadër kaloi një nga mbrëmjet e saj më të këqija, duke pasur serinë më të keqe të tripikëshave për një vit. Kaluan shumë pak ditë, dhe e njëjta skuadër, Miluoki Baks, shkëlqeu duke vendosur rekordin e 3-pikëshave në NBA, me 29 të tillë të shënuar në një ndeshje të vetme. Rekordi i mëparshëm ishte me 27 vendosur nga Hjustoni në prill 2019, ndërsa rekordi i Miluokit kishte qenë 22. Nga 13 lojtarët që u aktivizuan ndaj Çikagos, vetëm njëri nuk shënoi tripikësh dhe ky ishte më i miri, Janis Antetokumbo. Holidei shënoi 6, DiVinçenso 5, Midëlton 4 dhe Bruk Lopez 3. Edhe përqindra e realizimit ishte shumë e mirë, gati 57 për qind. Suksesi i Miluokit ishte i thellë, 144-97, pra me 47 pikë diferencë, shumë pranë rekordit të NBA-së. Antetokumbo nuk luajti aq shumë, por për më tepër nuk u impenjua shumë me vetëm 9 pikë (!!!), 6 topa në tabela, 6 asistë dhe 3 vjedhje topi.

Sfidanti.al