Nga Etiopia në Holandë, refugjatia thyen rekordin e miljes

Ajo sot është 26 vjeç, në kulmin e formës. Nuk ka qenë gjithnjë kaq bukur për Sifan Hasanin, atleten që përfaqëson Holandën dhe që theu rekordin e miljes ditën e djeshme në mitingun e Ligës së Diamantit në Montekarlo. Lindur në Etiopi në 1993, ajo e braktisi atdheun si refugjate në 2008-ën, si 15-vjeçare, kuptohet në kërkim të një jete më të mirë. Iu deshën 5 vjet për të marrë nënshtetësinë holandeze, diçka që iu lehtësua ndoshta edhe nga fakti se ajo ishte atlete e nivelit të lartë.

Që nga ajo kohë, ka fituar 13 medalje ndërkombëtare për Holandën, nga të cilat 7 të arta, 3 të argjendta e 3 bronzi. Në Montekarlo, Sifan Hasani vendosi rekordin e ri botëror në milje (afërsisht 1 600 metra) me kohën 4’12”33, duke thyer rekordin e famshëm të ruses Svetlana Masterkova të vitit 1996 me 4’12”56. Vajza me origjinë nga Etiopia ka thyer edhe rekordin europian të 3 000 metrave si dhe rekordin europian të gjysmë maratonës.

Sfidanti.al