Në finale me 20 fitore radhazi, Lokomotiv Kubanj “tremb” Eurokupën

Nuk është në vendin e parë në kampionatin e vendit të vet, por në kontinent po bën “namin”. Lokomotiv e Kubanjit, skuadra e fuqishme ruse e basketbollit, arriti në finalen e Eurokupës duke kaluar me sukses çdo pengesë. Ekipi i trajnerit serb, Sasha Obradoviç, dominoi çdo kundërshtar duke fituar 20 ndeshje nga 20 të luajtura, e duke qenë favorit për të fituar trofeun, në finalen ndaj turqve të Darushafakasë (ish-ekip i Ermal Kuqos).

Lokomotiv, klub i vendosur në Kubanj, kryeqendër kozakësh në Jug të Rusisë, triumfoi në gjysmëfinale të Eurokupës ndaj italianëve të Grisin Bon Rexhio Emilias, duke triumfuar dy herë. Ia doli në Rusi 82-65, fitoi edhe në Itali me shifrat 79-69. Në çerekfinale, u kalua skuadra e fortë spanjolle, Herbalajf Gran Kanaria, sërish me dy fitore (79-74, 80-58).

Më përpara, sundoi në fazën e parë të grupeve duke arritur 10 fitore radhazi dhe po ashtu ishte i vetmi ekip që e mbylli pa humbje fazën e dytë të grupeve. Pati 6 fitore në 6 ndeshje ndaj Buduçnostit të Podgoricës, Dolomiti Enerxhia Trentos së Italisë dhe Cedevitës së Kroacisë. Në histori, Lokomotiv ka fituar Eurokupën në 2013, ka arritur gjysmëfinalen e Euroligës në 2016, si dhe ka fituar 2 Kupa të Rusisë.

Në Superligën e Rusisë, Lokomotiv ndodhet vetëm në vendin e katërt, pas UNICS të Kazanjit, CSKA-së së Moskës dhe Zenitit të Shën Petersburgut, por duke lënë pas ekipin që luan në Euroligë, Himkin e Moskës.

Sfidanti.al