NBA, Toronto ëndërron fort me yllin Leonard

Jemi mësuar që të shkruajmë për Lebron Xhejmsin apo Golden Stejtin, kur vjen puna tek NBA-ja. Këtë sezon duhet të mësohemi pak ndryshe, pasi skuadra numër 1 e sezonit të rregullt, deri tani, është nga Kanadaja, Toronto Raptors. Nuk është një “rrufe në qiell të pastër”, pasi vitet e fundit ka qenë pretendente, por asnjëherë në vend të parë, dhe kurrë me besimin për të thyer “peshat e rënda” të basketbollit amerikan.

Tifozët, por edhe lojtarët kanë më shumë besim pasi në radhët e skuadrës është ish-ylli i San Antonios, Koui Leonard. Ishte një “dabëll-dabëll” e tij ndihmoi në fitoren 125-115 ndaj Majemit, duke bërë që Toronto të ketë bilancin 17 fitore e 4 humbje, më të mirin në NBA.

Leonard shënoi 29 pikë dhe kapi 10 topa në tabela, me dy asiste, një vjedhje topi e dy bllokime gjuajtjesh. Ai nuk ishte vetëm pasi Kajl Louri shtoi 12 pikë bashkë me 10 asistë, Paskal Siakam dha 21 pikë dhe lituanezi Jonas Valanciunas shtoi 17 pikë e 10 topa në tabela. Shumë të fortë edhe rezervat Majls, VanVlit e Rajt, secili me nga 10 pikë, pra kemi të bëjmë me një skuadër të kompletuar.

Toronto kryeson Konferencën e Lindjes, dhe është favorit absolut për të shkuar deri në finalen e madhe të NBA-së, pasi Lebron Xhejms nuk është më tek Klivlendi, por në Konferencën Perëndimore, me Los Anxhelos Lejkërsat.

Sfidanti.al