NBA, Toni Parker mbyll karrierën si basketbollist

NBA do të ndjejë jo pak mungesën e Toni Parkerit. Basketbollisti francez pas 18 sezonesh në kampionatin më spektakolar të këtij sporti në botë, vendosi të tërhiqet nga parketi pikërisht në moshën 37 vjecare. Toni Parker konfirmoi gjithcka në një intervistë për gazetarin Mark Spirs në portalin ‘The Undefeated’ të ESPN.

‘Do të tërhiqem-tha Toni Parker-vendosa të mos luaj më basketboll. Së fundmi kanë ndodhur shumë gjëra që më shtynë të marr këtë vendim dhe në fund të ditës ndodh ajo që unë nuk mund të vazhdoj dot më të jem Toni Parker dhe nuk mund të luaj për të fituar një kampionat, tashmë nuk më intereson të luaj basketboll’.

Toni Parker në 17 nga 18 sezonet e tij në kampionatin e NBA ka luajtur me San Antonio Spurs, ndërsa sezonin e fundit ishte pjesë e Charlotte Hornets. Me skuadrën teksane, Parker ka fituar 4 tituj kampion të NBA në 2003,2005,2007 dhe 2014. për më tepër francezi ka hyrë në historinë e këtij kampionati si i pari basketbollist joamerikan që fiton cmimin MVP i finaleve në 2007, ndërkohë që ai vazhdon të jetë ende lojtari joamerikan që ka shënuar më shumë pikë, ka dhënë më shumë asiste dhe ka bërë më shumë rikuperime të topit në fazën e playoffit në NBA. Por jo vetëm kaq, Toni Parker është një prej basketbollistëve me përqindjen më të lartë të fitoreve në sezonin e rregullt, 72.6%.

sfidanti.al