Prej kohësh tendenca ka ndryshuar. NBA nuk është më thjesht një ligë amerikane e basketbollit, por një skenë e madhe ku shkëlqejnë yje nga e gjithë bota. Këtë sezon, pak a shumë siç pritej, janë dy ballkanas që po shkruajnë historinë, Luka Donçiç e Nikola Jokiç. Ylli nga Sllovenia barazoi serinë e dytë më të gjatë në histori të ndeshjeve me të paktën 30 pikë të shënuara. Kapiteni i Dallasit arriti në 8 ndeshje të tilla në fitoren që ekipi i tij arriti ndaj Torontos me shifrat 111-110. Ai u barazua me legjendën Uilt Çembërlen në këtë seri, ndërsa vetë Çembërleni mban rekordin e basketbollit amerikan me 23 ndeshje radhazi me të paktën 30 pikë. Nuk dihet nëse slloveni do ta mbërrijë ndonjëherë këtë nivel.
Ai shënoi 35 pikë, kapi 8 topa në tabela, shërbeu 6 asistë, vodhi 3 topa e bllokoi një gjuajtje. Donçiç, që është vetëm 23 vjeç, është shënuesi më i mirë në NBA këtë vit me mesataren 36 pikë për ndeshje, dhe është favorit deri tani për t’u shpallur Lojtari më i mirë i sezonit. Natyrisht, ai më shumë se gjithçka kërkon të fitojë titullin me Dallasin. Një tjetër ballkanas që luftoi me nivelet e Çembërlenit ishte Nikola Jokiç. Ylli nga Serbia, një ditë më parë, e kaloi amerikanin e famshëm me tripëll dabëllat në karrierë, duke pasur 79 ndaj 78 të kampionit të viteve 60-të. Kapiteni i Denverit pati 15 pikë, 13 topa në tabela e 14 asistë në fitoren 122-110 ndaj Oklahomës, ndërsa është në vendin e gjashtë të kësaj renditjeje për të gjitha kohët.
Sfidanti.al