Reja bën një krahasim (pavend) të Superligës shqiptare me Serinë A

Trajneri i kombëtares ndoshta ishte në një nga daljet e tij të fundit me “fanelën kuqezi” përpara sesa vendin e tij ta zerë italiani i radhës. Pasi u shpreh se nuk ka asgjë të re për kontratën dhe ftoi të presim 30 nëntorin, dhe pasi shpjegoi strategjinë e re që do të përdorë në miqësoren ndaj Katarit duke i mbajtur lojtarët pak më shumë në fushë, 77-vjeçari u pyet për përshtypjen e tij për kampionatin shqiptar. Reja bëri një krahasim me Serinë A që, megjithë respektin, na u duk pa vend.

“Vlerësimi im për kampionatin shqiptar është që është tepër i fortë në aspektin e lojës së fortë, të agresivitetit dhe të temperamentit, – tha ai – Kam dalluar se ka mangësi në planin teknik, në aksione, në mënyrën e interpretimit të lojës. Kjo, jo për të bërë kritika. Edhe për kampionatin italian ka nga ata që thonë se nuk është në nivelin e duhur ndërkombëtar si Anglia, Spanja apo Gjermania. Kjo vlen edhe për Shqipërinë. Nëse përmirësohet në nivelin teknik, është diçka tjetër. Nuk është se nuk ka talente, por duhet punuar në nivelin bazë që të mund të rritesh”. Së pari, “Hane Shane, hane Bagdad”, siç e thotë shprehja, pasi futbolli shqiptar dhe italian janë “ku e ku”. Së dyti, ndoshta Reja e di se ajo “gjë e vogël” që ai kërkon, rritja e punës në bazë në Shqipëri nuk mund të ndodhë, përderisa nuk ka ndodhur deri tani. Vetëm, kur ta kuptojmë se futbollist nuk bëhesh me lekët e babit, dhe kur drejtuesit ta kuptojnë sesi funksionojnë Akademitë, atëherë ne mund të “ngremë kokë”.

Sfidanti.al