NBA, Oklahoma dhe Detroit nisin me fitore gjysmëfinalet

Gjysmëfinalet e play-off-it në NBA kanë startuar me emocione dhe rezultate të rëndësishme në të dyja konferencat, ku Oklahoma City Thunder dhe Detroit Pistons kanë marrë avantazhin në seritë e tyre përkatëse. Në Konferencën e Lindjes, Detroiti shfrytëzoi maksimalisht faktorin fushë, duke mposhtur Cleveland Cavaliers me rezultatin 111-101 dhe duke kaluar në avantazh 1-0 në seri. Ndeshja ishte përgjithësisht e balancuar, por diferencën e bëri loja kolektive e vendasve. Gjashtë lojtarë të Pistons realizuan mbi 10 pikë secili, një tregues i qartë i shpërndarjes së përgjegjësive në sulm. Për Clevelandin, performanca e dyshes Donovan Mitchell – James Harden, që së bashku realizuan 45 pikë, nuk mjaftoi për të shmangur humbjen. Mungesa e kontributit nga pjesa tjetër e skuadrës u ndie ndjeshëm në momentet vendimtare.

Ndërkohë, në Konferencën e Perëndimit, Oklahoma City Thunder dominoi ndaj Los Angeles Lakers, duke fituar bindshëm 108-90 dhe duke marrë kryesimin në seri. Kampionët në fuqi treguan superioritet gjatë gjithë takimit, si në mbrojtje ashtu edhe në sulm. Për Lakers, LeBron James realizoi 27 pikë, por kontributi i tij mbeti i pamjaftueshëm për të ndryshuar fatin e ndeshjes. Mungesa e Luka Dončić u ndje dukshëm në organizimin e lojës dhe kreativitetin ofensiv. Nga ana tjetër, protagonisti kryesor për Oklahoma-n ishte Chet Holmgren, i cili udhëhoqi skuadrën me 24 pikë, duke qenë vendimtar në fitoren e thellë të ekipit të tij. Seritë mbeten të hapura dhe ndeshjet e ardhshme pritet të sjellin edhe më shumë rivalitet, ndërsa skuadrat synojnë një vend në finalet e konferencave.

Sfidanti.al