Skuadra e Oklahomës triumfoi 122-113 ndaj San Antonios në ndeshjen e dytë të finales play-off të Konferencës së Perëndimit në NBA, duke rikthyer ekuilibrin në seri me rezultatin 1-1. Pas humbjes në përballjen e parë, kampionët reaguan në mënyrën më të mirë para tifozëve të tyre.
Forca kryesore e Oklahomës ishte loja kolektive, sidomos kontributi nga stoli, prej nga erdhën plot 57 pikë. Plot shtatë lojtarë realizuan mbi 10 pikë, duke treguar thellësinë e skuadrës. Lideri i ekipit ishte Shai Gilgeous-Alexander, që zhvilloi një tjetër paraqitje të shkëlqyer me 30 pikë.
Në anën tjetër, San Antonio u mbështet kryesisht te tre lojtarë. Castle realizoi 25 pikë, Vassell shtoi 22, ndërsa Wembanyama e mbylli sfidën me 21 pikë dhe 17 ‘rebound’. Megjithatë, pjesa tjetër e skuadrës nuk dha kontributin e pritur dhe kjo ndikoi në rezultatin final.

