Vjet ishte dyshja rivale Lebron Xhejms-Stefën Kërri, këtë vit, ylli i Golden Stejtit ka marrë në krah Kevin Durantin, por në hierarkinë e NBA-së duket se asgjë nuk po ndryshon. San Antonio dhe Klipers janë shumë pranë, por kreu i vërtetë i përket dy finalistëve të vjetshëm, Kavaliers dhe Uorriors. Lebron është ulur për momentin “në sediljen prapa” për kampionët, duke ndihmuar Kajri Irvingun dhe Kevin Lovin. Ky i fundit ishte shënuesi më i mirë ndaj Dallasit, në fitoren imponuese 128-90. Lov realizoi 27 pikë, Irving 25, ndërsa Xhejms u mjaftua me 19, madje kapi pak topa në tabela vetëm 5. Gjithsesi, 11 asistët e tij ishin pikë për të tjerët. Klivlendi ka 12 fitore e 2 humbje deri tani, në krye të Konferencës Lindore.
Golden Stejt është herë më shumë Durant, herë më shumë Kërri. Përsë dyti ndaj Lejkërsave u arrit fitorja, ndonëse me më pak pikë sesa ajo në Oklend. “Stejpëlls Sentër” në Los Anxhelos u shërbye me rezultatin 109-85, ku Durant shënoi 29 pikë, kapi 6 topa në tabela dhe shërbeu 9 asistë. Kërri shtoi 25 pikë, 5 topa në tabela dhe 5 asistë, si dhe i vodhi 3 topa kundërshtarëve. Uorriors mbeten ndoshta skuadra më e talentuar e NBA-së, me Klej Tompsonin, Drejmond Grinin, Zaza Paçulian, Shon Livingstonin e Andre Iguodalën. Golden Stejti ka 13 fitore dhe 2 humbje, në krye të Konferencës Perëndimore.