Magjia e basketbollit nis sonte “karuselin” e radhës. Lebron Xhejms, Stefën Kërri e Kevin Durant (pa harruar Rasëll Uestbrukun) presin sirenën për të bërë atë që dinë më mirë, spektaklin e koshit, ndërsa liga më e madhe e këtij sporti në botë ka edhe një ambicie tjetër, përveçse të shpallë kampionen në muajin qershor.
“Uoll Strit Xhornal” e bën direkt pyetjen “heretike”: A do të mundet NBA të kalojë të paprekshmen e të gjitha kohëve, NFL-në, më shkoqur, ligën e futbollit amerikan? SHBA kanë pasur jetë e mos pikërisht futbollin amerikan si sportin kryesor, si argëtimin më të madh kombëtar, aq sa edhe basketbollisti më i mirë i të gjitha kohëve, Majkëll Xhordan, nuk i rezistoi dot tundimit për të provuar famën edhe në NFL.
Kohët, megjithatë ndryshojnë. Organizatorët e NBA-së kanë vepruar me zgjuarsi, kanë hedhur pa fund video në “youtube”, filmime me të gjitha ngjyrat dhe aksionet, duke tërhequr si me magnet brezin e ri, të varur aq shumë nga interneti. “NBA online” ka krijuar shpërthimin dhe basketbolli ka nisur t’i afrohet popullaritetit të futbollit amerikan. Natyrisht, sporti i koshit është ende miliarda dollarë dhe miliona teleshikues poshtë sportit të regbisë me kaska, por rrjedha është në favor të të parit.
“Basketbolli është një vend shumë, shumë i mirë, për të qenë dhe për të luajtur”, – thotë lojtari më i mirë i sezonit të kaluar, nënkampioni Stefën Kërri, – ne mund ta kapim futbollin, edhe pa ndryshuar numrin e skuadrave, apo pa pasur klube në Europë”. i vetmi minus është kapaciteti i arenave, që arrin deri në 20 000 spektatorë, ndërsa futbolli amerikan i ka pa frikë deri në 70 000 apo më shumë.
B. Kuka