Nuk mund të kishte sfidë më të madhe në mbrëmjen e Krishtlindjeve në NBA sesa ajo mes Klivlendit kampion dhe Golden Stejtit nënkampion. Dy skuadrat përballen në Arenën e Klivlendit, dhe i fituan “provat gjenerale” në prag të duelit të madh. Kavaliers mposhti në shtëpi Bruklinin, me 20 pikë diferencë, 119-99, duke pasur rezultatin më të mirë të sezonit në fushën e vet, me 15 fitore e vetëm 2 humbje. Yjet e rëndësishëm u kursyen, duke luajtur pak. Lebron Xhejms shënoi 19 pikë në 27 minuta në fushë, Kevin Lov shtoi 14 pikë në 25 minuta (kapi 15 topa në tabela), dhe Kajri Irving pati 26 minuta dhe 13 pikë, por edhe 10 asistë. Një lojë e balancuar nga kampionët.
Golden Stejti fitoi jashtë fushe, jo me aq diferencë nga Kavaliersi, por ishte e kuptueshme përderisa luhej në Detroit. Suksesi ishte 119-113 dhe treshja e më të mirëve luajti pak më shumë se treshja e Klivlendit. Durant pati 32 pikë në 31 minuta, Kërri 25 pikë në 35 minuta dhe Tompson 17 pikë në 37 minuta. Kjo ishte fitorja e shtatë radhazi për Uorriorsin që mbetet kryesuesja e Konferencës Perëndimore dhe skuadra më e mirë e NBA-së me 27 fitore e 4 humbje, ndërsa Klivlendi është në krye të Konferencës Lindore me 22 fitore e 6 humbje.